Kryengritësi dhe Tirani

In op/ed

BLERIM LATIFI

Homazh për Azem Bejtën, në 93-vjetorin e vdekjes
Në përfundim të Luftës së Parë Botërore ishte një kohë e zymtë për Kosovën. Ishim pa miq, pa zë, të harruar, e të vetmuar përballë një pushtuesi të pamëshirshëm, Serbisë monarkiste. Në atë kohë dy burra vendosën të mos rrinë duarkryq, të mos pajtohen me fatin e nënshtrimit e të harrimit. Ata ishin Azem Bejta dhe Hasan Prishtina. Njëri me pushkë, tjetri me diplomaci, në kushte ekstremisht të vështira politike, bënë atë që aso kohe gati ishte e pamundur. Ata themeluan lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës. Të gjithë të tjerët më pas, që punuan e luftuan për lirinë e Kosovës, ecën në shtigjet e hapura prej tyre.
Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, me seli në Shkodër, ishte organizata e parë serioze politike që mori përsipër ta mbajë të gjallë çështjen e Kosovës brenda Kosovës së pushtuar, në politikën e Tiranës dhe në diplomacinë ndërkombëtare. Një mision ky, pothuajse i pamundur në rrethanat e kohës, e që ushqehej vetëm nga idealizmi i pathyeshëm i patriotëve të këtij komiteti.
Si krahu i armatosur i Komitetit, Azem Bejta me çetat e tij, padyshim që kishte punën më të vështirë. Ai duhej të ndërtonte brenda Kosovës strukturat e rezistencës së armatosur kundër pushtetit serb, në kushtet e vetëdijes së pazhvilluar kombëtariste, të varfërisë ekstreme ekonomike dhe analfabetizmit pothuajse të plotë të popullatës. Duheshin armë parasegjithash. Në një rast të turpshëm xhandarët e kryebanditit të Tiranës zyrtare, Ahmet Zogut, kishin konfiskuar në portin e Durrësit një kontingjent armësh të blera në Itali nga Komiteti e të destinuara për rezistencën në Kosovë. Ky veprim ishte një nga shërbimet e shumta që Zogu u bëri aleatëve të tij në Beograd.
Por humbjet, kurthet, intrigat dhe korrupsioni nuk e mposhtën Azem Bejtën. Edhe atëherë kur shumë kryengritës, krerë dhe bajraktarë u dorëzuan, ikën në Shqipëri, apo hoqën dorë nga rezistenca, Azem Bejta mbeti në Kosovë për ta vazhduar atë. I vetëm, por mbeti. Gjithmonë ishte dikund sa për t’ia futur ankthin xhandarit apo poreznikut serb që e rjepte me taksa shqiptarin e mbytur në varfëri, por në shumë raste edhe imamëve të shkolluar në medrestë e finanuara prej Pashiqit, që të përhapin tregimin për Anadollin si tokë e bekuar e cila po i pret shqiptarët muslimanë të Kosovës.
Për pesë vite rresht, betejë pas beteje, Azem Bejta ia kishte dalë ta kthente Drenicën në një zonë ku strukturat e pushtetit serb ose nuk ekzistonin fare ose funksiononin minimalisht. Në këtë mënyrë ai e kishte bërë të prekshme për njerëzit idenë e lirisë, e rrjedhimisht edhe besimin dhe aspiratën për të. Kishte themeluar vetëdijen kosovare për lirinë. Prandaj Azem Bejta është hero, në kuptimin që këtij koncepti i jep Hegeli, pra një personalitet që me veprimet e tij ndihmon në përparimin e vetëdijes njerëzore për lirinë. Padyshim Azem Bejta është heroi më i madh në historinë e Kosovës.
Pasi ia kishte shkatërruar sistemin e xhandarmërisë qeveria e Beogradit vendosi të ndërmarrë masat ekstreme kundër Azem Bejtës: vënien në përdorim të ushtrisë. Me 15 korrik 1924 mijëra trupa, të ardhura nga garnizonet e Nishit, Shkupit e Prishtinës, të pajisura me artilerinë më të rëndë për kohën, rrethuan komunën e Prekazit, atë që aso kohe quhej “Shqipnia e Vogël”. Brenda pak orësh gjithçka u shndërrua në tokë të djegur. Mbi 100 njerëz u vranë, e dhjetra të tjerë u plagosën. Axha im Arifi, që aso kohe ishte 10 vjeçar, na tregonte se si shtëpitë lëkundeshin nga presioni i goditjeve të topit të madh, i cili bombardonte Galicën nga vendi ku sot ndodhet shkolla e Prekazit. “Rrinim në bodrumin e sh’pisë, por era e barotit dhe fushave e maleve që kishin marrë flakë arrinte deri aty”, tregonte ai mes tjerash.
Në mbrëmjen e asaj dite tragjike, një grusht burrash, duke çarë përmes pozicioneve të ushtrisë që ishte kudo, mbartnin mbi supe prijësin e tyre të plagosur për vdekje, në rrugën e gjatë për të kaluar në Shqipëri. Dëshmitarët e atij rrugëtimi të rëndë kanë treguar për dhimbjen dhe dëshpërimin e pakufishëm të atyre netëve. Prijësi karizmatik i kaçakëve po shuhej dhe bashkë me të edhe shpresa për liri. Në horizontin e Kosovës nata e errët e robërisë, sërish, shfaqej e pafundme, e tirani i gjithëfuqishëm. Diku Frojdi flet për tronditjen e dramës që përjetojnë anëtarët e grupit në momentin që humbin prijësin e tyre. Duke i parë të thyer luftëtarët e tij, Azem Bejta, edhe duke dhënë shpirt, u thoshte herë pas here: “mos u tutni, a jeni me babën”. Në çastet e fundit kërkon që trupi i tij, në asnjë mënyrë, të mos bjerë në duart e serbëve. Nga kohërat që nuk mbahen mend, tiranët e kanë pasur zakon që të organizojnë spektakle publike me trupat e rebelëve të vrarë. I ekspozonin shesheve, i masakronin dhe i përdhosnin trupat e tyre. Në studimin e tij “Disiplinë dhe Ndëshkim” Michel Foucault shpjegon se përmes këtij rituali tirani synonte ta vizuelizonte, ta bënte të dukshëm, pushtetin e tij të pathyeshëm. Në Iliadën e Homerit e gjejmë situatën në të cilën Akili i pamëshirshëm, me karrocën e kuajve, tërheq zvarrë para mureve të Trojës trupin e vrarë të Hektorit, ndërsa Kadare, në novelën e tij “Kamarja e Turpit”, na jep një rrëfim të shkelqyeshëm letrar të këtij rituali poshtërimi. Kokën e prerë të Ali Pashë Tepelenës, e bartin, në një rrugë të gjatë e të mundimshme, prej qindra kilometrash, për ta dërguar në Stamboll vetëm për kënaqësinë e tiranit osman. Natyrisht, si një kryengritës i përjetshëm, Azem Bejta e njihte këtë ritual të moçëm të tiranëve, prandaj nuk donte që kënaqësinë e këtij rituali t’ia mundësonte tiranit në Beograd. Dhe dëshira e tij e fundit u përmbush. Xhandarët dhe naçallnikët serbë e kërkuan me muaj e vite, por nuk e gjetën kurrë trupin e Azem Bejtës. Sekreti për varrimin e tij, në varrin më të thellë në botë, në shpellën vertikale të Perqevës, 70 metra të thellë, u ruajt me besnikëri të plotë nga ata që e dinin. Ruajtja e sekretit ishte një betejë për fuqinë e simbolit. Duke e gjetur trupin e Azem Bejtës tirani serb donte të konfirmonte pushtetin e tij, jo vetëm mbi jetën e atyre që kishin guxuar t’i kundërviheshin, por edhe mbi vdekjen e tyre. Duke mos e gjetur askush nuk do t’i besonte lajmit të tij se e ka vrarë kryengritësin. Kështu do të merrte jetë misteri dhe miti për të dhe duke u kthyer në mister e mit Azem Bejta, edhe i vdekur, do të vazhdonte shërbimin ndaj idesë së lirisë. Dhe kështu ndodhi. Mitet e lirisë gjithmonë e kanë një funksion : ta bëjnë të përkohshëm dhe të tejkalueshëm realitetin e vrazhdë të robërisë. Mitet e lirisë janë rojtarë të njërit prej dimensioneve më të rëndësishme të qenies njerëzore, rebelimit dhe kryengritjes. Pa këtë dimension njeriu pushon të jetë i tillë. Filozofi francez Alber Kamy e thoshte tek filozofia e revoltës se “çdo akt i rebelimit është apel për esencën e qenies së njeriut”. Ky akt, gjithmonë, nisë me atë që Hegeli e quante guximi për ta mposhtur frikën nga vdekja, këtë instrument psikopolitik të tiranëve e diktatorëve, që ka për qëllim ta përjetësoj skllavërimin. Mposhtja e kësaj frike është hapi i parë drejt lirisë.
Për pothuajse një shekull në Kosovë Serbia ishte një sundimtar që ushtronte pushtetin mbi jetën dhe vdekjen tonë dhe këtë gjendje e paraqiste si fat përfundimtar të kësaj toke. Azem Bejta ishte i pari që guxoi të ndërtonte një narracion tjetër për Kosovën, narracionin e lirisë, sepse të tillë janë heronjtë, së paku që nga Greqia e lashtë: ata nuk i binden fatit të perëndive. As të qiellit as të tokës.
Sot, në 93 vjetorin e rënies së Azem Bejtës, në kryeqytetin e Kosovës së lirë, mungon një monument në nderim të tij, sa do i thjeshtë, por artistikisht i qëndrueshëm. Ndoshta për arsye se sheshet tona janë zënë nga statujat e krijuara prej skulptorëve, tanimë të plakur, të socrealizmit enverist. Këto statuja janë pa vlera estetike, por janë vënë aty për të kënaqur kiqin politik, idealin estetik të të gjithë politikanëve, e të të gjitha lëvizjeve dhe partive politike, siç e quan Kundera në veprën e tij e madhe “Lehtësia e padurueshme e qenies”.

 

You may also read!

NASA shtanget nga rrezatimi i pafund diellor në qytetin e shenjtë të Mekës

Agjencia Hapësinore e SHBA-së (NASA) është shprehur e habitur me rrezatimin e pafund që përqendrohet në qytetin e shenjtë

Read More...

Lamtumirë selfie, me telefonin e ri Nokia 8 është koha për “bothie”

Ishte një rikthim i bukur, me mjaft stil, ai i Nokia 3310, por edhe në fushën e smartphone-ve, shtëpia

Read More...

Barcelona nuk ndalet në La Liga, 18 pikë në gjashtë ndeshjet e para (Video)

Barcelona ka fituar në udhëtim te rivali lokal, Girona, me rezultat të thellë 3-0 në kuadër të javës së

Read More...

Leave a reply:

Your email address will not be published.

Mobile Sliding Menu