Kisha e Millosheviqit

In op/ed

Lulëzim ETEMAJ

Në shtetet pa ngërçe të theksuara të funksionimit demokratik, ku politika, pavarësisht e cilitdo nivel që të jetë, nuk i rrasë hundët në punët e gjyqësorit, komentimi eventual i vendimeve të këtij të fundit, jo vetëm që është i pandikim, porse as nuk merret pothuajse fare seriozisht. Efekti maksimal i kometimit të vendimeve të gjyqësorit nga ana e politikës, mund të jetë prodhimi i një teme të lodhtë mediale të shoqëruar me tullumbace senzacioni, talent ky bukur i zhvilluar i mediave, të shkruara dhe elektronike, në këtë kohë krize të tyre përballë mediave sociale.
Kosova, duke qenë shtet ende shumë i ri dhe pa një traditë të konsoliduar demokratike, në një proces ende të parrumbullakësuar të shtetndërtimit dhe shtetfunksionimit, gjer më tani e ka përjashtuar veten nga rregulla bazë e mësipërme; njohjes të pa kushte të pavarësisë së gjyqësorit. Në këtë aspekt, edhe ndërhyrjet në gjyqësor edhe komentimet e lëndëve dhe vendimeve të tij, madje edhe përmes debateve nga ana e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten edhe më tutje prezentë. Politika e Kosovës, përmes përfaqësueseve të institucioneve si dhe atyre të partive politike, madje në domenin e saj të komentimit ka përfshirë edhe vendime të caktuara të gjykatave ndërkombëtare. E, në raport me gjyqësorin e Kosovës, të UNMIK-ut dhe tani të EULEX-it, të njëjtën praktikë e kanë ndjekur edhe ambasadorët e Quintit. Fatkeqësisht. Nuk ka mbetur pa u komentuar nga ana e tyre pothuajse asnjë vendim gjyqësor që si palë trajtimi ka pasur posaçërisht çlirimtarët e Kosovës.
Këto ditë Gjykata e Apelit në Prishtinë ia ka njohur pronësinë mbi hapësirën 4 hektarëshe brenda oborrit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, “Kishës Ortodokse Serbe”, e ndërtuar nga Millosheviqi ndërmjet viteve 1992- 1999. Në Prishtinë mbretëron heshtje absolute. Heshtë komplet politika.
Nuk ka protesta. Madje s’ka asnjë aksion leximi para “Kishës Ortodokse Serbe” për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Apelit. “Studim, Kritikë, Veprim”, i angazhuar me detyra shtabi zgjedhor?
Heshtin madje edhe Shpend Ahmeti i VV-së dhe Arban Abrashi i LDK-së, pretendentët aktualë për të qeverisur me Prishtinën gjatë 4 viteve të ardhshme.
E, vendimi aktual i Gjykatës së Apelit në Prishtinë, nuk do të duhej ta gjejë politikën e Kosovës në heshtje. As shoqërinë civile. As mediet. Asnjë. Sepse është një vendim që legjitimon politikën e Sllobodan Millosheviqit. Sepse “Kisha Ortodokse Serbe” në Prishtinë nuk është kishë, nuk është shtëpi e Zotit, nuk është kishë e besimtarëve serbë, qytetarë të shtetit të Kosovës, por është Kishë e Millosheviqit. Është përtej një demarkacioni të ri në zemër të Prishtinës.
Gjykatat që legjitimojnë politikat e Millosheviqit nuk e meritojnë mosndërhyrjen dhe pavarësinë. Qofshin ato në Kosovë apo jashtë saj. Legjitimiteti i ndërhyrjes buron në gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës që ka prodhuar dhe aplikuar politika e Millosheviqit.
Si kishë politike që është, Kisha e Millosheviqit, nuk kërkon trajtim dhe as zgjidhje gjyqësore të gjykatave të shtetit të Kosovës. Për të duhet të ketë zgjidhje politike. Zgjidhje që duhet të gjendet në bashkërendim të ngushtë me aleatët e çlirimit, pavarësisë, shtetshpalljes dhe shtetndërtimit të Kosovës. Një zgjidhje që respekton dhe nuk i provokon plagët e qytetarëve shqiptarë të Kosovës. Jo rrënuese, por të tipit polak të Muzeut të Auschwitzit, apo atij austriak për Kampin Përqendrues të Mathausenit.
4 hektarët e oborrit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ju takojnë shtetit të pavarur dhe qytetarëve të Kosovës. Nuk do të duhej legjitimuar kurrsesi kalimin e tyre në pronësi të Kishës së Millosheviqit. Sepse një akt i tillë do ta legjitimonte shtëpinë e azilit të politikës gjenocidale të Millosheviqit. Universiteti i Prishtinës nuk do të duhej të mbetej i vetmuar në këtë betejë.
Ecja para e shtetit të Kosovës, me një shtëpi të tillë në zemër të Prishtinës do të ishte tejet më e vështirë se sa mund të jetë në rrethana normale.

 

KISHA E MILLOSHEVIQIT
Lulëzim ETEMAJ

You may also read!

Haki Abazi: Visari është burrë i mirë, por nuk e di ‘kulaqin’ që po ia marojnë Shpendi e Dardani

Analisti politik, Haki Abazi ka komentuar zhvillimet e fundit në Lëvizjen Vetëvendosje. Abazi në një shënim në Facebook ka

Read More...

Barcelona 4-0 Deportivo: Notat e lojtarëve, maksimale për Suarezin

Barcelona fitoi ndaj Deportivo de La Corunas me rezultat 4-0 në La Liga. Kjo ishte fitore shumë e rëndësishme

Read More...

Kush është 32-vjeçari që u ekzekutua në makinë. Dyshimet e policisë (Foto)

Një 32-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri paraditen e së dielës në qytetin e Shkodrës. Angjelin Shkambi u gjet

Read More...

Leave a reply:

Your email address will not be published.

Mobile Sliding Menu